Përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme ka dhënë efektet e para në tregun shqiptar, duke goditur drejtpërdrejt planet për pushimet verore. Edhe pse Turqia mbetet destinacioni kryesor i familjeve shqiptare, frika nga një luftë e mundshme Izrael-Iran ka bërë që rezervimet të "ngrijnë" totalisht ditët e fundit.
Lufta "tremb" rezervimet, bien prenotimet e reja
Operatorët turistikë në Tiranë raportojnë se, pavarësisht ofertave joshëse "early booking" që janë aktive deri në fund të marsit, ritmi i shitjeve ka rënë ndjeshëm. Agjencitë turistike konfirmojnë se klientët nuk po anulojnë masivisht kontratat ekzistuese, por po hezitojnë të hedhin firmën për rezervime të reja. Pyetja kryesore që dëgjohet sot në zyrat e agjencive nuk është më për cilësinë e hotelit, por për garancinë e rimbursimit të parave në rast se konflikti përshkallëzohet dhe fluturimet anulohen për arsye sigurie.
Turqia në dyshim, sytë nga Europa
Turqia, me resortet e famshme në Antalia dhe Bodrum, ka qenë prej vitesh zgjedhja e padiskutueshme e shqiptarëve për shkak të formulës "all inclusive" dhe fluturimeve direkte. Megjithatë, perceptimi i rrezikut për hapësirën ajrore dhe afërsia gjeografike me zonën e tensionit po i shtyn shumë familje të presin ose të shohin alternativa të tjera. Nëse situata nuk stabilizohet brenda javëve të ardhshme, pritet që kërkesa të zhvendoset drejt destinacioneve që konsiderohen më "të qeta" si Spanja, Italia apo Greqia.
Jo vetëm Turqia, goditen edhe Dubai dhe Egjipti
Pasiguria nuk kufizohet vetëm te Turqia. Ekspertët e turizmit parashikojnë se kjo valë hezitimi do të prekë edhe destinacione të tjera të preferuara si Dubai, Abu Dhabi apo resortet e Egjiptit në Detin e Kuq. Megjithëse këto vende nuk janë pjesë e konfliktit, pasiguria rajonale mjafton për të bllokuar vendimmarrjen e konsumatorit. Për agjencitë shqiptare, ky bllokim mund të përkthehet në një dëm ekonomik që do t'i detyrojë ato të rishikojnë kontratat dhe strategjitë e çmimeve për pjesën e mbetur të sezonit.