Deri në 350 mijë dollarë për një fluturim: Pasanikët e Gjirit Persik po largohen me avionë privatë pas sulmeve iraniane

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.03.2026, 19:15

Ndërsa sulmet me raketa dhe dronë iranianë po godasin qytete kyçe të Gjirit, rajoni që prej vitesh konsiderohej strehë e sigurt për miliarderë dhe drejtues globalë po përjeton një eksod të heshtur të elitës ekonomike.

Sipas burimeve të industrisë së aviacionit, individë me pasuri shumë të lartë po paguajnë deri në 350 mijë dollarë për një fluturim privat nga Riadi drejt Europës, në një treg ku kërkesa ka shpërthyer dhe oferta është e kufizuar.

Pas goditjeve që prekën zona si Dubai dhe Abu Dhabi, si edhe objektiva në Katar dhe Bahrein, shumë linja ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar ose anuluar fluturimet drejt rajonit.

Aeroportet janë përballur me kaos dhe mijëra persona kanë mbetur të bllokuar, duke e kthyer aviacionin privat në zgjidhjen e vetme për ata që kanë mundësi financiare.

Me disa korridore ajrore të kufizuara dhe rrugë alternative të mbyllura, kryeqyteti saudit është shndërruar në pikën kryesore të tranzitit.

Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, autokolona SUV-sh luksoze përshkojnë rreth 10 orë rrugë përmes shkretëtirës për të mbërritur në King Khalid International Airport, një nga aeroportet e pakta në rajon që vijon të operojë normalisht.

Kompani private sigurie po organizojnë transportin e drejtuesve ekzekutivë, investitorëve dhe familjeve të pasura, përpara se t’u sigurojnë charter-a drejt Europës, SHBA-së apo Azisë.

Sipas ndërmjetësve të charter-ave, çmimet për një avion privat nga Riadi drejt Europës kanë arritur deri në 350 mijë dollarë, për shkak të mungesës së avionëve të disponueshëm dhe kërkesës ekstreme.

“Arabia Saudite është aktualisht opsioni i vetëm real për ata që duan të largohen nga rajoni”, citohet të ketë thënë një drejtues i industrisë së aviacionit privat.

Ironikisht, në vitet e kaluara Arabia Saudite ishte perceptuar si më e ekspozuar ndaj rrezikut për shkak të tensioneve rajonale. Sot, megjithatë, hapësira ajrore e saj mbetet funksionale dhe procedurat e vizave janë lehtësuar, duke lejuar shumë shtetas të marrin vizë në mbërritje.

Ndërsa në qytete të tjera të Gjirit tensioni rritet, në Riad jeta vijon relativisht normalisht, me disa shkolla që kanë kaluar online dhe kompani që kanë adoptuar punën nga shtëpia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit