Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një fenomen që, sipas tij, po kthehet në rrezik real për sigurinë rrugore dhe që vijon të injorohet nga strukturat përgjegjëse. Bëhet fjalë për automjetet e parkuara mbi trotuare, një praktikë e përhapur në zona të ndryshme urbane.
Sipas denoncuesit, parkimi mbi trotuar nuk është thjesht shkelje administrative, por një faktor që mund të çojë në aksidente. Automjetet e vendosura në cepa rrugësh apo pranë kryqëzimeve pengojnë fushëpamjen e drejtuesve të mjeteve, duke e bërë më të vështirë dallimin e këmbësorëve apo automjeteve që afrohen. Në shumë raste, këmbësorët detyrohen të zbresin në rrugë për të kaluar, duke u ekspozuar drejtpërdrejt ndaj trafikut.
Qytetari shprehet se, megjithëse situata është e dukshme çdo ditë, reagimi i policisë rrugore mbetet minimal. Ai kërkon kontrolle më të shpeshta dhe masa ndëshkuese konkrete, për të parandaluar incidente të mundshme.