Futbollisti anglez Harry Maguire është dënuar me 15 muaj burg me kusht nga një gjykatë në Greqi, lidhur me incidentin e ndodhur në gusht të vitit 2020 në ishullin e Mykonos.
Mbrojtësi i Manchester United u shpall fajtor për sulm të lehtë, kundërshtim të arrestimit dhe tentativa të përsëritura për ryshfet. Ngjarja ndodhi gjatë pushimeve të tij në Mykonos, ku u përfshi në një përplasje fizike së bashku me familjarë dhe kaloi dy net në paraburgim.
Menjëherë pas arrestimit në vitin 2020, Maguire deklaroi se ishte përfshirë në sherr me një grup shqiptarësh, të cilët sipas tij kishin ngacmuar motrën e tij. Ky version ngriti pikëpyetje që në fillim dhe u hodh poshtë nga prokurori i çështjes.
Sipas prokurorisë, historia për “shqiptarët” ishte e trilluar për të justifikuar sjelljen e futbollistit dhe të shokëve të tij.
Prokurori theksoi se Maguire kishte bërë përpjekje për të mbuluar veprimet e tij, ndërsa pretendimet për përfshirjen e shqiptarëve nuk rezultuan të vërteta gjatë shqyrtimit të provave.
Fillimisht, në vitin 2020, ai ishte dënuar me 21 muaj burg me kusht, por pas apelimit u pranua rigjykimi i çështjes, çka sipas ligjit grek e bën vendimin të pavlefshëm deri në përfundimin e procesit. Në vendimin më të fundit, dënimi u reduktua në 15 muaj me kusht.
Maguire ka njoftuar se do ta apelojë sërish vendimin, me synimin për të pastruar emrin e tij, ndërsa çështja pritet të ndjekë rrugën ligjore në instancat më të larta në Greqi.