Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka publikuar pamjet e momentit kur një silurë godet një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Sri Lanka, në ujërat e Oqeani Indian. Sipas autoriteteve të Sri Lankës, të paktën 80 persona kanë humbur jetën nga sulmi, ndërsa më herët ishte raportuar se rreth 140 të tjerë rezultonin të zhdukur pas incidentit.
Zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës deklaroi se anija iraniane ishte nisur nga një port në Indinë lindore dhe po kthehej drejt Iranit në momentin e goditjes. Ngjarja ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon, duke e zhvendosur përplasjen në një zonë strategjike të trafikut detar ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi operacionin si një moment historik ushtarak. Sipas tij, kjo është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që një anije armike fundoset nga një silurë amerikane. “Ashtu si në atë luftë… ne po luftojmë për të fituar”, deklaroi ai, duke nënvizuar vendosmërinë e SHBA-së në përballjen aktuale.
Publikimi i pamjeve dhe deklaratat e forta nga Uashingtoni pritet të kenë pasoja të mëtejshme diplomatike dhe ushtarake, në një kohë kur situata ndërkombëtare mbetet e brishtë dhe çdo veprim i tillë rrezikon një përshkallëzim të ri të konfliktit.