Aksidenti tragjik i ndodhur tre ditë më parë në zonën e Siçilisë, mes një automjeti dhe një kamioni që transportonte fruta-perime, ka përfunduar me një viktimë dhe gjashtë të plagosur.
Në këtë aksident humbi jetën 24-vjeçari shqiptar Flori Topalli, emigrant në Itali ndërsa edhe plagosurit janë gjithashtu shtetas shqiptarë.
Në gjendje më të rëndë paraqitet shoferi 39-vjeçar i automjetit ku udhëtonte viktima. Ai po transportonte bashkëatdhetarët e tij drejt vendit të punës në momentin e aksidentit.
Ngjarja ndodhi në autostradën Naro–Camastra, në orët e para të 1 marsit. 39-vjeçari u transferua nga spitali “Barone Lombardo” në Canicattì drejt spitalit “Villa Sofia” në Palermo, një strukturë më e specializuar. Mjekët në kryeqytetin rajonal vijojnë të tregohen të rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë, të plagosurit e tjerë po marrin trajtim mjekësor në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pesë nga të plagosurit jetonin në Canicattì dhe Naro. Sipas mediave italiane, të rinjtë, të moshës nga 24 deri në 39 vjeç, kishin mbërritur së fundmi në Itali dhe punonin në sektorin e bujqësisë sezonale.
Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit fatal.