Çmimi i bukës në qytetin e Korçës ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke arritur deri në 150 lekë për një bukë masive. Qytetarët tregojnë se vetëm pak ditë më parë buka tregtohej rreth 120 lekë, ndërsa aktualisht çmimi ndryshon nga 140 deri në 150 lekë, në varësi të furrës dhe llojit të produktit.
Konsumatorët shprehen se janë përballur me një rritje të papritur të kostos në pikat ku furnizohen çdo ditë, duke vënë në dukje se kjo ka ndikuar në buxhetin e familjeve. Ata kërkojnë nga autoritetet monitorim dhe masa që të mbajnë çmimet nën kontroll, sidomos për produktet bazë të konsumit të përditshëm.
Rritja e çmimeve vjen pas shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas, i cili ka çuar në izolimin e zonës së juglindjes, duke rritur shpenzimet për transport dhe logjistikë. Pronarë të disa furrave kanë deklaruar se edhe pse çmimi i miellit nuk ka ndryshuar, kostot e tjera, si energjia elektrike dhe transporti, kanë bërë të domosdoshme këtë rritje të çmimeve.