Personat në foto janë efektivët e forcave “Shqiponja”, Gentjan Meda dhe kolegu i tij Bilal Gjapi, si dhe i shumëkërkuari Klodian Llomi, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet. Ngjarja ka ndodhur në Maqellarë, Dibër, gjatë një operacioni për arrestimin e Llomit, i cili është dënuar nga Gjykata e Apelit në Romë me 6 vite e 7 muaj burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Gjatë ndërhyrjes, efektivi Gentjan Meda ka rënë nga muri rrethues i banesës trekatëshe, duke u lënduar në kokë dhe trup. Ai ka marrë ndihmën e parë në Qendrën Shëndetësore të Maqellarës dhe më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, ndërsa gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, gjatë aksionit është plagosur edhe kolegu i tij, Bilal Gjapi, i cili ka pësuar thyerje të këmbës.
Ndërkohë, një banore ka treguar edhe vendin ku kishte rënë polici, teksa ka rrëfyer se është parë i shtrirë dhe i gjakosur. “Tha vdiqa bre, më erdhi gjynah. E shikon ku janë tullat, my aty ishte shtrirë. Ishte i gjakosur. Ai mund të kenë rënë më herët por s’kemi dëgjuar. Mund të ketë qenë ora 6.”, tha banorja për plagosjen e dy policëve.