Zbardhet sherri mes kunatit të Ergysit Agasit dhe kolegut të tij

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.03.2026, 10:17

Një incident i rëndë është regjistruar dje në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku është dhunuar drejtori i Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta. Sipas burimeve, ai është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit dhe kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë, pas një përplasjeje verbale që kishte ndodhur një ditë më parë mes palëve.

Përplasja ka ndodhur pas një debati të mëparshëm mbi një grup inspektimi për çështjen e dherave. Bëhet fjalë për ndërhyrje në kompetenca. Sipas pretendimeve, dyshohet se Fatmir Meta kishte bllokuar mjetet e subjekteve që derdhën dhera në rrethinat e Tiranës, gjë që ka shkaktuar tension mes tij dhe Çelës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shpallur në kërkim Klesti Çelën, i cili dyshohet se, për shkak të detyrës, ka goditur Metën në ambientet e institucionit, në bashkëpunim me tre persona ende të paidentifikuar. Policia bën me dije se po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pas incidentit, drejtori i IKMT-së, Afrim Qendro, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Klesti Çelës, si dhe të Ervin Bixhës, këshilltar pranë Kryeinspektorit të IKMT. Vendimi për shkarkimet është marrë në koordinim me kreun e Inspektoratit, Dashnor Sula, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin plotësisht përgjegjësitë për ngjarjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit