Fenomeni i zbaticës është vërejtur mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Plazhi i Vjetër, në Vlorë. Tërheqja e ujit të detit me mbi 10 metra nga vija e zakonshme e bregut ka ndryshuar dukshëm pamjen e vijës bregdetare, duke lënë në sipërfaqe pjesë të konsiderueshme të rërës dhe shtratit detar.
Si pasojë e këtij fenomeni natyror, disa prej varkave të peshkimit kanë mbetur në cekëtinë, duke e pasur të pamundur lëvizjen deri në rikthimin e nivelit normal të ujit. Banorët e zonës shprehen se zbaticat e tilla ndodhin periodikisht dhe zakonisht zgjasin disa orë, në varësi të kushteve atmosferike dhe lëvizjeve të masave ujore.
Ekspertët theksojnë se zbaticat lidhen me faktorë natyrorë si ndikimi i hënës, erërat dhe presioni atmosferik. Megjithëse është një dukuri e zakonshme, për peshkatarët lokalë kjo situatë sjell vështirësi të përkohshme, pasi u duhet të presin derisa deti të rikthehet në nivelin e tij të zakonshëm për të vijuar aktivitetin e përditshëm.