Një qytetare nga zona e Shkafanes, pranë Gjirit të Lalëzit, ka denoncuar një rast mashtrimi që i ka ndodhur në biznesin e saj.
Ajo ka treguar se të dielën një grua ka shkuar në dyqanin e saj të vogël duke u prezantuar si vajza e një familjeje të njohur dhe të respektuar në lagje.
Duke pretenduar se kishte harruar portofolin dhe çantën, pasi ishte hutuar nga vajza e saj e vogël, vajza ka kërkuar të marrë produkte ushqimore dhe detergjentë me vlerë 115 mijë lekë, me arsyetimin se do të pastronte shtëpinë e vëllait në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Qytetarja tregon se gruaja i ka premtuar se do të kthehej brenda dy orësh për të shlyer shumën pasi sapo të shkonte në shtëpi do t’i sillte paratë. Ajo thotë se gjatë kësaj kohe vajza ka nisur të qajë dhe të tregojë për probleme familjare, përfshirë humbjen e të atit dhe vrasjen e vëllait për ta bërë edhe më të besueshme dhe prekëse ngjarjen.
Megjithatë pasi ka blerë produket e kërkuara, zonja në fjalë është larguar jo në drejtim të Gjirit të Lalëzit por drejt Manzës dhe këtu pronarja e dyqanit ka nisur të dyshojë.
Ajo shprehet se përmes kamerave të sigurisë dhe targës së automjetit, ka arritur të sigurojë të dhëna për identitetin e saj me ndihmën e policisë. Ajo thotë se ka bërë përpjekje të shumta për ta kontaktuar, përfshirë edhe komunikimin me bashkëshortin e saj, por nuk ka marrë përgjigje.
E zhgënjyer nga kjo skemë mashtrimi, qytetarja i kërkon zonjës kthimin e shumës pasi në të kundërt do ta denoncojë rastin në polici.