Agjencia mbikëqyrëse bërthamore e OKB ka konfirmuar se një impiant i pasurimit të karburantit në Iran ka pësuar dëmtime, në atë që konsiderohet konfirmimi i parë zyrtar për goditje ndaj objekteve bërthamore iraniane që prej nisjes së sulmeve ushtarake nga SHBA-të dhe Izraeli.
Sipas Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), Fabrika e Pasurimit të Karburantit në Natanz, një nga instalimet më të ndjeshme të programit bërthamor iranian, ka pësuar “dëme në ndërtesat e hyrjes”, bazuar në imazhe të fundit satelitore. Megjithatë, agjencia theksoi se nuk janë konstatuar pasoja radiologjike dhe se nuk ka “asnjë ndikim shtesë” në vetë centralin.
Vetëm një ditë më parë, drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, kishte deklaruar se nuk kishte “asnjë tregues” për goditje ndaj instalimeve bërthamore në Iran, çka tregon se zhvillimet në terren po evoluojnë me shpejtësi.
Ndërkohë, analiza e publikuar nga CNN, bazuar në imazhe të siguruara nga kompania e inteligjencës hapësinore Vantor, tregon se janë goditur një depo e madhe dhe dy ndërtesa dykatëshe në kompleksin e Natanzit.
Kompleksi bërthamor, i fortifikuar rëndë, përfshin gjashtë ndërtesa mbi tokë dhe tre struktura nëntokësore, dy prej të cilave kanë kapacitet për të strehuar deri në 50 mijë centrifuga, sipas të dhënave të publikuara nga Nuclear Threat Initiative. Sulmet e mëparshme amerikane, në qershorin e kaluar, kishin ndërprerë furnizimin me energji elektrike në pjesë të objektit, duke nxjerrë në pah ndjeshmërinë e tij pavarësisht masave të forta të sigurisë.