Detaje të tjera mbi kërkesën për arrestimin e deputetes Belinda Balluku janë zbardhur këtë të martë nga raporti i anëtarëve demokratë në Këshillin e Mandateve. Sipas raportit, SPAK ka argumentuar se Balluku ka përdorur “të fortë” dhe anëtarë të kabinetit të saj për të ushtruar presion mbi një dëshmitare, duke tentuar të ndikojë deklarimet e saj dhe duke krijuar frikë tek viktima.
Raporti shpjegon se prokuroria ka identifikuar dy forma kryesore të presionit:
(1) “të fortët”, të cilët po verifikohen nëse lidhen me veprimtari të krimit të organizuar,
(2) zyrtarët e kabinetit të ministres, të cilët kanë shantazhuar për shkarkime apo kanë ofruar para për ndryshimin e dëshmive dhe të mbrojtësit ligjor të dëshmitares.
Transkriptimet e përgjimeve, të siguruara me vendim gjykate, sipas SPAK tregojnë se dëshmitarja ishte e frikësuar dhe ishte përpjekur të ndikoheshin deklaratat e saj me anë të korrupsionit.
Prokurori Dritan Prençi, në raport, ka theksuar se hetimet janë në vijim dhe për shkak të sekretit hetimor nuk mund të jepen detaje shtesë. Ai nënvizoi se përveç personave zyrtarë nga kabineti i ministres, roli i “të fortëve” persona jozyrtarë të përfshirë në presion fizik ose psikologjik është pjesë e hetimeve dhe po verifikohet në lidhje me mundësinë e lidhjeve me krimin e organizuar.