Hijet dhe pikëpyetjet që la pas shkarkimi i Ilir Prodës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.03.2026, 13:00

Shkarkimi i Ilir Prodës, i justifikuar publikisht me hedhjen e disa fishekzjarreve drejt ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha nga protestues demokratë, duket si një shpjegim që më shumë ngre pikëpyetje sesa jep përgjigje. Nëse një incident i tillë mjaftonte për të rrëzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, atëherë narrativa e ndërtuar prej kohësh për lidhje të errëta, për raporte të privilegjuara me Edi Ramën apo për tolerim ndaj eksponentëve të krimit, bie ndesh me vetë logjikën e shkarkimit. Ose Proda ishte hallkë e pazëvendësueshme në një sistem interesash, ose ishte thjesht një drejtues që u largua për një episod të izoluar, të dyja bashkë nuk qëndrojnë.

Episodi me artistët e fondacionit Art Explora ngjan më shumë si një pretekst i volitshëm politik. Një ngjarje e servirur si shqetësim institucional, por që në thelb mund të ketë qenë thjesht momenti i duhur për të formalizuar një vendim të marrë më herët. Vetë lëvizja e kryeministrit, që një ditë pas shkarkimit shkoi në vilën e ish-diktatorit për të kërkuar falje publike, u lexua si një akt simbolik me dy mesazhe: distancim nga ngjarja dhe njëkohësisht vulosje e sakrifikimit të kryepolicit.

Por përtej episodit të fishekzjarreve, bilanci i drejtimit të Prodës mbetet i mbushur me hije. I emëruar në krye të Policisë së Shtetit në tetor 2024, pas largimit të papritur të Muhamet Rrumbullakut, ai mori detyrën në një moment delikat. Më pas, operacione të rëndësishme dështuan të kapnin figura kyçe të botës së krimit. Rasti i Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, i cili i shpëtoi arrestimit pas një dosjeje të ardhur nga autoritetet italiane, ishte një nga episodet që ushqeu dyshimet mbi eficiencën, ose vullnetin, e strukturave drejtuese.

Po ashtu, urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK për organizatën e Suel Çelës, ku vetë kreu i grupit mbeti në arrati, shtuan akuzat për dekonspirim dhe rrjedhje informacioni. Në dosje të tjera, si ajo e tenderave të AKSHI-t, arratisja e biznesmenëve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri të lidhur me pushtetin ngriti pikëpyetje serioze për rolin dhe përgjegjësinë e policisë në garantimin e masave të sigurisë.

Ndërkohë, vetë prokurorët e SPAK-ut, përfshirë drejtues si Altin Dumani, kanë folur publikisht për lidhje të drejtuesve të policisë me krimin, duke e përshkruar situatën si alarmante. Propozimet për krijimin e njësive të pavarura përgjimi dhe ekzekutimi masash sigurie, jashtë varësisë së policisë, janë një tregues i qartë i mungesës së besimit institucional.

Në këtë kontekst, largimi i Ilir Prodës nuk mund të reduktohet në një incident me fishekzjarre. Ai duket më tepër si një lëvizje në një tabelë më të madhe politike, ku ekuilibrat mes pushtetit, drejtësisë dhe krimit janë më kompleksë sesa një deklaratë zyrtare. Sepse kur një drejtues i akuzuar si “kyç” në balancat e brendshme largohet për një episod periferik, lind pyetja thelbësore: a ishte ky shkaku, apo thjesht justifikimi?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit