Izraeli ka njoftuar rihapjen e pikës kryesore të kalimit me Rripi i Gazës, një arterie jetike për hyrjen e ndihmave humanitare në territorin e shkatërruar nga lufta. Kalimi u rihap për herë të parë që nga sulmet ajrore të ndërmarra ndaj Iranit, në një moment kur presioni ndërkombëtar për furnizimin e Gazës me ushqime dhe karburant ishte shtuar ndjeshëm.
OKB dhe agjencitë humanitare kishin paralajmëruar se mbyllja e pikave kufitare po e linte Gazën me shpejtësi pa rezerva bazë. Në terren, frika nga mungesat nxiti blerje paniku, duke sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve në tregjet lokale dhe duke rënduar edhe më shumë barrën mbi popullsinë civile.
Autoriteti izraelit i mbrojtjes Cogat, që administron pikat e kalimit, sqaroi se mbyllja e kalimit të Kerem Shalom erdhi si pasojë e “kërcënimit nga raketat”, i cili, sipas tij, rrezikonte si personelin izraelit ashtu edhe atë palestinez. Më herët, i njëjti institucion kishte deklaruar se furnizimet ekzistuese në Gaza do të “mjaftonin për njëfarë kohe”.
Sipas burimeve lokale të cituara nga BBC, kamionë palestinezë me ndihma u nisën këtë mëngjes drejt Kerem Shalom, por deri tani nuk është raportuar kthimi i tyre me mallra. Ndërkohë, pika kufitare e Rafah me Egjiptin, e cila shërben si dalja kryesore për evakuimet mjekësore, mbetet e mbyllur. Cogat theksoi se ajo do të rihapet vetëm “kur ta lejojë situata e sigurisë”, duke lënë të paqartë afatin konkret.