Dritan Dema, fëmija 11-vjeçar i zhdukur dje në zonën e Shkozës, Tiranë, është gjetur shëndoshë e mirë në Portin e Durrësit. Ai është identifikuar falë vëmendjes së një gruaje, e cila e ka parë dhe ka njoftuar menjëherë nënën e tij. Ende nuk dihet si ka shkuar i mituri në Portin e Durrësit, por pritet të mësohet në vijim. Djali ndodhet me dajën e tij dhe nënën.
Në një reagim për JOQ, nëna e Dritanit ka falenderuar qytetarët shqiptarë, gruan që e ndihmoi për përkushtimin dhe ndihmën në gjetjen e djalit. Rasti përfundon me një mesazh pozitiv për bashkëpunimin dhe vëmendjen e qytetarëve në situata emergjente.
Djali kishte dalë nga shtëpia për në shkollë pas një debati me nënën, por nuk arriti të paraqitej në orët e mësimit. Ai jeton me të ëmën, pasi prindërit e tij janë të divorcuar. Lajmi për gjetjen e tij ka sjellë lehtësim të madh për familjen dhe komunitetin.