Një përleshje e dhunshme mes dy grupeve kriminale ka ndodhur në Ranzanico, Itali, ku një shtetas shqiptar 30-vjeçar u plagos rëndë me thikë dhe ndodhet në rrezik jete në spitalin Papa Giovanni XXIII. Ngjarja ndodhi pranë barit Ignazzi, në hyrje të rezidencës “La Filanda”, ku përdorimi i thikave, shisheve dhe sendeve të forta shkaktoi kaos dhe panik.
Autor i sulmit është identifikuar një 26-vjeçar italian, i varur nga droga, i cili gjithashtu u plagos në kokë nga shqiptarët dhe u dërgua në spitalin Humanitas Gavazzeni. Sipas autoriteteve italiane, motivi kryesor i përleshjes dyshohet të jetë kontrolli i territorit dhe trafikimi i drogës.
Karabinierët sekuestruan disa doza kokaine pranë lokalit, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit në përleshje janë arrestuar. Gjatë mbrëmjes u kryen kontrolle në banesat e tyre nga policia lokale për të zbuluar më shumë lidhje me aktivitetet kriminale dhe armët e përdorura.