Prokuroria e Lezhës ka kërkuar sot burgim të përjetshëm për Ruben Saraiva, me origjinë nga Portugalia, autorin e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Vrasja ndodhi më 19 prill brenda lokalit të tij, ndërsa Saraiva përballet me akuzat për “Vrasje për interes ose hakmarrje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh dhe municioni”. Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë.
Hetimet zbuluan se vrasja ishte planifikuar nga Edmond Haxhia dhe u mbështet nga tre shtetas britanikë, Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman, të cilët janë arrestuar pasi autoritetet britanike pranuan kërkesën e Policisë së Shtetit. Saraiva kishte lënë Shqipërinë drejt Greqisë përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, dhe u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023.
Sipas hetuesve, britanikët dyshohet të kenë qenë informatorë, duke vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e Nikulajt dhe të stafit të tij në resortin që ai zotëronte, dhe më pas i raportonin ato portugezit Saraiva. Ai prej ekstradimit ndodhet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor po vijon.