Një qytetar ka denoncuar gjendjen e rënduar të rrugës në lagjen “Beram Shehu”, pranë aeroportit të Kukësit, duke theksuar se zona është lënë totalisht në harresë nga institucionet.
Sipas denoncimit, rruga është në gjendje të amortizuar, duke shkaktuar dëmtime të vazhdueshme të automjeteve dhe vështirësi serioze për fëmijët që shkojnë çdo ditë në shkollë. Situata përkeqësohet edhe më shumë në ditët me shi, kur kalimi bëhet pothuajse i pamundur.
Banorët shprehen se, ndonëse e kanë ngritur shqetësimin prej kohësh pranë Bashkisë Kukës dhe institucioneve përkatëse, askush nuk ka shkuar as për ta verifikuar nga afër situatën.
Të gjendur pa zgjidhje, 10 familje të zonës janë mbledhur dhe kanë nisur të investojnë nga xhepi i tyre për ta bërë rrugën sadopak të kalueshme.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e rrugës, si dhe marrjen e përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje JOQ Lagjja “Beram Shehu” afer aeroportit te Kukesit e lene ne harrese. Na u shkaterruan makinat dhe femijet cdo dite ne shkolle . Ne ditet me shi nuk kalohet . Jemi mbledhur 10 familjet qe jemi dhe po investojme vete sa te behet rruga pak e kalueshme. E kemi shprehur kete shqetesim prej shume kohesh ne bashki dhe institucionet perkatese por as per ta pare nuk kan ardhur. Kerkojme nderhyrje urgjente per rikonstruksionin dhe mirembatjen e kesaj rruge, si dhe marrjen e pergjegjesise nga institucionet perkatese. Anonim ju lutem