Gjashtë ushtarë amerikanë kanë humbur jetën gjatë sulmeve fillestare të Iranit në rajon, sipas një njoftimi zyrtar nga Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM).
Në deklaratën e publikuar pasditen e së hënës, bëhet e ditur se forcat amerikane kanë rikuperuar edhe trupat e dy ushtarëve që rezultonin të zhdukur pas goditjes së një objekti ushtarak gjatë valës së parë të sulmeve. Operacionet luftarake, sipas komandës amerikane, vijojnë dhe përgjigjja ushtarake është ende në zhvillim.
Autoritetet theksuan se emrat dhe detaje të tjera nuk do të bëhen publike deri 24 orë pasi të jenë njoftuar familjarët.
Më herët gjatë ditës, CENTCOM konfirmoi vdekjen e një ushtari tjetër që ishte plagosur rëndë në sulmet fillestare dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Tre ushtarë të tjerë u vranë gjatë fundjavës, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur rëndë në kuadër të operacionit ushtarak të quajtur “Operation Epic Fury”.
Sipas një zëdhënësi të komandës, 18 efektivë amerikanë rezultojnë të plagosur rëndë deri në këtë fazë të konfliktit.
Presidenti Donald Trump konfirmoi humbjet dhe deklaroi se SHBA do të “hakmerret” për trupat e vrarë, duke theksuar se operacioni do të vazhdojë. Ai i cilësoi ushtarët e rënë si “patriotë të vërtetë amerikanë”, ndërsa paralajmëroi se mund të ketë edhe viktima të tjera përpara përfundimit të konfliktit.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe kreu i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave, duke i cilësuar ushtarët e rënë si shembull të shërbimit të përkushtuar ndaj vendit.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit po hyn në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme.