Irani ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë se do të sulmojë çdo anije që përpiqet të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke thelluar ndjeshëm krizën në Lindjen e Mesme.
Sipas mediave shtetërore iraniane, një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare ka deklaruar se ngushtica është tashmë e mbyllur dhe se forcat detare iraniane do të hapin zjarr ndaj çdo mjeti lundrues që tenton të kalojë. “Nëse dikush përpiqet të kalojë, heronjtë e Gardës Revolucionare dhe marinës do t’i vënë flakën atyre anijeve”, është cituar të ketë thënë këshilltari i lartë Ebrahim Jabari.
Hormuzi konsiderohet rruga më jetike e eksportit të naftës në botë. Rreth 20% e konsumit global ditor të naftës kalon përmes kësaj korridori detar, që lidh prodhuesit kryesorë të Gjirit, si Arabia Saudite, Irani, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik. Në pikën më të ngushtë, kalimi është vetëm rreth 33 kilometra i gjerë.
Vendimi i Teheranit vjen pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane më 28 shkurt. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se operacionet do të vazhdojnë sipas planit, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë rajonin.
Si kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar raketa drejt disa vendeve të Gjirit që strehojnë baza amerikane, përfshirë Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin, si dhe ka raportuar sulme ndaj Emirateve, Arabisë Saudite dhe Omanit.
Tregjet e naftës janë në alarm, pasi një bllokim i plotë i Hormuzit do të godiste drejtpërdrejt furnizimin global dhe do të rriste ndjeshëm çmimet. Lëvizja e fundit rrit frikën për një konflikt më të gjerë rajonal, në një moment kur transporti detar global është tashmë nën presion nga sulmet e milicive Houthi në Detin e Kuq.
