Pas aksidentit tragjik të ndodhur mëngjesin e së hënës në Itali, ku humbi jetën 24-vjeçari shqiptar Flori Topalli, familja e tij ka hapur një faqe në GoFundMe për të kërkuar ndihmë financiare me qëllim kthimin e trupit në Shqipëri.
Ngjarja ndodhi në rrugën shtetërore 410, në territorin e Naro-s, ku automjeti me punëtorë shqiptarë u përplas me një kamion që transportonte fruta dhe perime. Si pasojë e përplasjes, Flori Topalli humbi jetën në vend, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur. Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim nga autoritetet italiane.
Mes dhimbjes së madhe dhe pamundësive ekonomike, familjarët po kërkojnë mbështetjen e bashkëkombasve për të përballuar shpenzimet e transportit të trupit drejt atdheut.
Në apelin e publikuar në GoFundMe, motra e tij, Kesmentina Topalli, shkruan:
“Me dhimbje të thellë në zemër dhe në pamundësi ekonomike për të sjellë trupin e vëllait tonë të dashur pranë familjes, ju drejtohemi me përulësi për ndihmë, sado të vogël, që ai të prehet pranë shtëpisë dhe njerëzve të tij. Çdo kontribut është një mbështetje e madhe për familjen tonë në këtë moment të vështirë.”
Familja thekson se çdo ndihmë, pavarësisht shumës, do të shërbejë për të realizuar dëshirën që i riu të prehet pranë të afërmve të tij në Shqipëri.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë mund ta bëjnë përmes platformës GoFundMe, e hapur nga familjarët.