Macron urdhëron rritjen e arsenalit bërthamor të Francës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.03.2026, 18:21

Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se do të urdhërojë rritjen e numrit të kokave bërthamore që zotëron Franca, në një moment kur tensionet globale janë shtuar ndjeshëm pas sulmit të SHBA-ve ndaj Iranit dhe krizës në Lindjen e Mesme.

“Kam kërkuar një rritje të numrit të kokave bërthamore”, deklaroi Macron nga baza ushtarake në L’Ile Longue, në veriperëndim të Francës, ku ndodhen nëndetëset me raketa balistike të vendit. Ai refuzoi të japë një shifër të saktë, duke theksuar se Franca nuk do të bëjë më publike të dhënat për arsenalin e saj bërthamor.

Aktualisht, Franca ka më pak se 300 koka bërthamore. Kjo është hera e parë që nga viti 1992 që Parisi vendos të rrisë arsenalin e tij bërthamor.

Sipas Macron, modernizimi dhe forcimi i arsenalit është “thelbësor” për sigurinë kombëtare dhe për rolin e Francës në mbrojtjen e Europës. Fjalimi i tij u fokusua edhe te pasiguritë që janë krijuar në kontinent lidhur me angazhimin e SHBA-ve për të mbrojtur Europën nën të ashtuquajturën “ombrellë bërthamore”.

Franca është e vetmja fuqi bërthamore brenda Bashkimit Europian. Ndërkohë, Britania e Madhe, aleate e NATO-s por jo më pjesë e BE-së, është i vetmi shtet tjetër europian me kapacitet bërthamor.

Më herët, kancelari gjerman Friedrich Merz ka konfirmuar se ka zhvilluar biseda fillestare me Macron për bashkëpunim në fushën e parandalimit bërthamor, madje duke hedhur idenë që avionë të Forcave Ajrore gjermane të mund të përdoren për transportimin e bombave bërthamore franceze.

Gjithsesi, Macron ka qenë i prerë se çdo vendim për përdorimin e armëve bërthamore franceze do të mbetet ekskluzivisht në duart e presidentit të Francës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit