Sot do të kujtojmë një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare Besëlidhja e Lezhës, e mbajtur më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Me thirrjen dhe vizionin e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, princërit shqiptarë lanë mënjanë ndasitë dhe u bashkuan përballë rrezikut të Perandoria Osmane. Në këtë kuvend historik morën pjesë, Gjergj Arianiti, Andrea Thopia, stërnip i Karl Thopisë, i shoqëruar nga bijtë dhe nipi Tanush Topia,Teodor Korona Muzaka i Beratit, Gjergj Stres Balsha, Pal Dukagjini dhe Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani, Lekë Dushmani, si dhe Stefan Crnojeviq. Të pranishëm si vëzhgues ishin edhe përfaqësues të Republikës së Venedikut.
Kuvendi vendosi krijimin e një besëlidhjeje mbarëarbërore, formimin e një ushtrie të përbashkët prej rreth 15 000 luftëtarësh (8 000 kalorës dhe 7 000 këmbësorë) nën komandën e Skënderbeut si Kapiten i Përgjithshëm dhe ngritjen e një arke të përbashkët për shpenzimet e luftës. Princërit u zotuan të kontribuonin me ushtarë, ushqime e të ardhura për t’u përballur me sulltanin Murati II. Qëndresa dha fryte të menjëhershme: në qershor 1444, në Torvioll, 25 000 trupa osmane u thyen nga forcat shqiptare. Më pas erdhën fitore në Mokër, Pollog e Ujin e Bardhë (Albulenë), si dhe mbrojtja heroike e Krujës në vitin 1450 kundër një ushtrie prej mbi 100 000 vetash, ku qëndresa e udhëhequr nga Vrana Konti u bë legjendë.
Besëlidhja e Lezhës shënoi kulmin e organizimit politik shqiptar në Mesjetë, duke vendosur një model bashkimi ku vendimet merreshin me shumicë, por nën një komandë të vetme ushtarake. Ajo u bë frymëzim për lëvizje të mëvonshme kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe mbetet sot simbol i unitetit, besës dhe sakrificës. 2 Marsi është një thirrje për krenari kombëtare, dëshmi se kur shqiptarët bashkohen rreth një ideali, bëhen të pathyeshëm.