Nuk u dhanë rrogën puntoreve, e pësojnë çifti i parukierëve të VIP-ave dhe politikanëve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.03.2026, 14:22

Një 41-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se nuk ka paguar rreth 20 250 euro paga ndaj pesë punonjëseve në parukerinë “Adelse Hair Institute”, një subjekt që frekuentohej nga persona të njohur publikë, përfshirë VIP-a, artistë dhe politikanë. Në pranga ka rënë Besmir Aliko, ndërsa për bashkëshorten e tij, Kaltrina Balaj, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Hetimet nisën pas kallëzimeve të pesë punonjëseve, të cilat pretenduan se ishin shfrytëzuar dhe mashtruar, duke mos u paguar për punën e kryer.

Sipas policisë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Kolektivi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i 41-vjeçarit dhe referimi i materialeve në Prokurori për bashkëshorten e tij. Dyshohet se shuma totale e papaguar ndaj punonjëseve arrin në rreth 20 250 euro.

Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Mashtrimi”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” si dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Sipas njoftimit zyrtar, ekzistojnë dyshime se pajisjet me të cilat ushtronte aktivitetin subjekti ishin futur në vend në mënyrë të paligjshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit