Policia italiane ka arrestuar një 15-vjeçar shqiptar i akuzuar se plagosi me thikë një të mitur tjetër, 14-vjeçarin tunizian, gjatë një episodi të dhunshëm në një autobus urban.
Ngjarja ndodhi dy netë më parë në lagjen Rivarolo të Genovas.
Incidenti ndodhi pak pas orës 20:00, kur shoferi i autobusit numër 7 ndaloi mjetin në Via Pallavicini pas dëgjimit të britmave. Viktima u godit dy herë me thikë dhe përfundoi në një pellg gjaku. Ai u dërgua në Spitalin Scassi, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të ndërlikuar për të ndaluar gjakderdhjen. Gjendja e tij raportohet kritike.
Hetimet e kryera nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik të Gjykatës së të Miturve të Genoves çuan në identifikimin e autorit. Policia e arrestoi të riun në banesën e tij, ku u gjetën rrobat që kishte përdorur gjatë sulmit, disa prej të cilave ai kishte tentuar t’i hedhë. Incidenti u dokumentua nga kamerat e sigurisë të autobusit.
I dyshuari, gjithashtu një i mitur i lindur në Genoves, ndodhet në pritje të seancës dëgjimore para GIP-së. Autoritetet po vazhdojnë kërkimin për armën e përdorur dhe po përpiqen të rindërtojnë motivet që çuan në sulm.