Shqiptarët me biznes të ri në Angli: Shesin cigare të kontrabanduara në rrjetet sociale

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.03.2026, 11:16

Grupet kriminale shqiptare po shfrytëzojnë rrjetet sociale si TikTok, Facebook dhe Instagram për të tregtuar cigare me çmime të ulëta, duke ofruar “dërgesë ekspres” në adresat e klientëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Një investigim i publikuar nga Daily Mail zbuloi dhjetëra faqe në gjuhën shqipe që synojnë drejtpërdrejt tregun britanik. Në këto faqe reklamohen marka të njohura cigaresh, të cilat pretendohet se vijnë nga Shqipëria ose Greqia, dhe shiten për 6–7 paund për paketë — më pak se gjysma e çmimit mesatar në Mbretërinë e Bashkuar, që arrin rreth 16 paund. Diferenca e theksuar në çmim ngre dyshime për kontrabandë me qëllim shmangien e akcizës së duhanit, si dhe për mundësinë e produkteve të falsifikuara.

Një prej llogarive operonte me një emër që përkthehet si “paketa cigaresh shqiptare”, duke ofruar furnizim të rregullt me cigare nga Greqia dhe Shqipëria për klientë në Britani. Një tjetër faqe në TikTok, e cila reklamonte hapur cigare të lira me dërgesë në shtëpi, u hoq nga platforma pasi u raportua nga Daily Mail.

Sipas investigimit, një gazetari iu ofruan paketa me çmim 6.50 paund, ndërkohë që në supermarketet britanike e njëjta paketë kushton rreth 17.75 paund.

Ervin Karamuço, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, vlerëson se përfshirja e grupeve shqiptare në kontrabandën e duhanit nuk është e papritur.

Përveç trafikut të armëve dhe drogës, organizatat kriminale shqiptare janë të angazhuara edhe në kontrabandën e cigareve në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse më pak fitimprurëse se droga, kjo mbetet një veprimtari e rëndësishme për sigurimin e të ardhurave,” u shpreh ai për gazetën.

Ai shtoi se fenomeni mund të lehtësohet edhe nga korrupsioni në pikat doganore, ku zyrtarë të caktuar mund të tolerojnë ose të ndihmojnë kalimin e mallrave të paligjshme.

Sipas ekspertëve, rrjetet shqiptare janë përfshirë në kontrabandën e cigareve në Bashkimin Europian prej më shumë se 20 vitesh. Shqipëria konsiderohet gjithashtu një zonë problematike për prodhimin e cigareve të falsifikuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit