Çahet asfalti në Gjinar, rruga e mirëmbajtur nga Alko Impex e Abazit burim rreziku

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.03.2026, 09:52
Një rrëshqitje toke ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në rrugën pranë liqenit të Gjinar, në territorin e Elbasan, duke rrezikuar seriozisht qarkullimin e automjeteve. Shtresa e asfaltit është çarë në mes në një segment të rëndësishëm të aksit, i cili shërben si lidhje për disa fshatra të zonës dhe përshkohet çdo ditë nga dhjetëra mjete private dhe transporti. Dëmtimi i infrastrukturës ka krijuar vështirësi në lëvizje dhe ka shtuar frikën për aksidente, sidomos në një zonë me terren të thepisur dhe me lëvizje të shtuar gjatë fundjavave.
Segmenti rrugor mirëmbahet nga kompania Alko Impex Construction, në pronësi të Arbër Abazi. Emri i kësaj kompanie është përmendur më herët në debatet publike për tendera publikë, ndërsa zona në fjalë konsiderohet një nga destinacionet turistike malore më të frekuentuara në qarkun e Elbasanit, veçanërisht gjatë sezonit pranverë–verë.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga bashkia Elbasan e Gledian Llatjas, për stabilizimin e terrenit dhe rikonstruksion të plotë të segmentit të dëmtuar, duke theksuar se fluksi i vizitorëve drejt Gjinarit rritet ndjeshëm në muajt në vijim. Ata paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente për përforcimin e trupit të rrugës dhe sistemimin e kullimit të ujërave, situata mund të përkeqësohet më tej, duke izoluar përkohësisht fshatrat përreth dhe duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe turistëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit