Një qytetar nga Tirana ka denoncuar një rast vjedhjeje të ndodhur në biznesin e tij në zonën e Pazarit të Ri.
Sipas denoncimit, një person i panjohur është paraqitur duke kërkuar ndihmë për të përdorur tualetin. Pasi është lejuar të hyjë në ambient, ai dyshohet se ka marrë një çantë që ndodhej brenda një dollapi. Pamjet nga kamerat e sigurisë, të dërguara nga vetë pronari, tregojnë momentin kur personi merr çantën dhe futet në tualet.
Qytetari pretendon se brenda tualetit janë marrë paratë dhe kartat bankare nga çanta, ndërsa ajo është lënë më pas në koshin e mbeturinave të banjos. Në video, personi shihet duke kontrolluar edhe një herë dollapin përpara se të largohet nga biznesi.
Denoncuesi shton se i dyshuari lëvizte me biçikletë në zonë dhe gjatë komunikimit ka folur me theks të huaj. Ai pretendon gjithashtu se personi është larguar duke përshëndetur me një shprehje fetare, çka sipas tij mund të jetë përdorur për të mos rënë në sy gjatë ditëve të Ramazanit.
Rasti është bërë publik për të sensibilizuar bizneset dhe qytetarët që të tregojnë kujdes në raste të ngjashme. Autoritetet pritet të verifikojnë pamjet filmike dhe të hetojnë për identifikimin e personit të dyshuar.