85% e aksidenteve sipas INSTAT ndodhin si pasojë e gabimeve nga shoferët

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 01.03.2026, 21:22

Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se gabimet e shoferëve mbetet shkaku kryesor i aksidenteve rrugore në vend. Gjatë muajit janar 2026, në Shqipëri u regjistruan 96 aksidente rrugore, ku 149 persona mbetën të aksidentuar, mes tyre të vrarë dhe të plagosur.

Krahasuar me janarin e vitit 2025, numri i aksidenteve ka pësuar një ulje me rreth 23.2%, një tregues pozitiv për sigurinë rrugore në nisje të këtij viti. Megjithatë, shifrat tregojnë qartë se pjesa dërrmuese e ngjarjeve vjen si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.

Sipas raportit, 85.4% e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të gabimeve të shoferëve, duke konfirmuar se pakujdesia, shpejtësia tej normave apo mosrespektimi i rregullave vijojnë të jenë problem serioz në rrugët shqiptare.

Grupmosha 25–34 vjeç rezulton më e përfshira në aksidente, me rreth 31.3% të totalit. Sa i përket ditëve të javës, e premtja mban numrin më të lartë të aksidenteve me 21.9%, ndërsa e marta ka rezultuar dita me përqindjen më të ulët, 6.3%.

Në aspektin gjeografik, Tirana vijon të kryesojë për numrin e aksidenteve, e ndjekur nga qarqe të tjera me fluks të lartë qarkullimi.

Edhe pse statistikat tregojnë një rënie krahasuar me një vit më parë, të dhënat nënvizojnë nevojën për më shumë ndërgjegjësim, kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, në mënyrë që rrugët të mos vazhdojnë të prodhojnë viktima.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit