Qendra e të moshuarve në lagjen e Re të Bulqizës po përballet me vështirësi të shumta që po e bëjnë të pamundur aktivitetin e përditshëm për rreth 25 pensionistë që e frekuentojnë.
Sipas anëtarëve të grupit, qendra ka mbetur pa energji elektrike prej tre javësh, për shkak se Bashkia nuk ka paguar faturat për energjinë eletrike. Për pasojë, pensionistët detyrohen të largohen nga qendra dhe të qëndrojnë në shtëpi që nga ora 17:00.
Problemet nuk mbarojnë këtu pasi mungesa e sinjalit televiziv dhe internetit, si dhe zhdukja e tabelave të shahut, kanë lënë të moshuarit pa mundësi për aktivitete. Për më tepër, orari i reduktuar i qendrës 09:00-12:00 dhe 16:00-18:00 nuk është shpjeguar nga askush, duke rritur shqetësimin tek të moshuarit.
Ata bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale për të rikthyer kushtet e nevojshme për aktivitet dhe mirëqenie në qendrën e të moshuarve, që funksionimi i saj të mos mbetet vetëm një formalitet.