Pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, lëvizjet në kupolën e uniformave blu kanë vijuar edhe në kryeqytet.
Elton Alushi është shkarkuar nga posti i drejtorit të Policisë së Tiranës. Largimi i tij është firmosur nga ministrja e Brendshme në largim, Albana Koçiu.
Njësoj si në rastin e Prodës, edhe largimi i Alushit vjen pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike, ku sipas vendimit zyrtar, nuk u garantua siguria e qytetarëve.
Gjatë protestës, në zonën e njohur si Vila 31, ish-rezidenca e diktatorit Enver Hoxha, u regjistruan tensione, ku protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, ndërkohë që brenda ambienteve ndodheshin shtetas të huaj, pasi godina aktualisht përdoret si ambient pritës për artistë.
E shkuara me polemika
Karriera e Alushit ka pasur edhe më herët episode të diskutueshme. Në vitin 2017, ai u pezullua nga detyra si shef i Komisariatit nr. 1 në Tiranë, pasi u raportua se kishte lejuar ndërtimin e një objekti pa leje në zonën e Rrugës së Elbasanit. Më pas ai u rikthye në strukturat drejtuese, duke mbajtur poste të tjera në Policinë e Tiranës.
Një tjetër moment që ngriti pikëpyetje ishte paraqitja e tij në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) rreth një vit më parë. Asokohe nuk u bënë publike arsyet e thirrjes dhe nuk u sqarua nëse ai ishte thirrur si person në dijeni apo në kuadër të ndonjë hetimi. Vetë Alushi nuk dha asnjë prononcim për mediat pas daljes nga ambientet e SPAK.
Deri më tani nuk ka një reagim publik nga Alushi lidhur me shkarkimin e tij.
Ndërkohë, pritet të mësohet se kush do të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës pas këtij ndryshimi të radhës në krye të rendit në vend.