Ilir Proda është shkarkuar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me vendim të Kryeministrit Edi Rama, ndërsa në vend të tij është komanduar zëvendësi Sokol Bizhga. Largimi i tij vjen pas mosgarantimit të sigurisë ndaj qytetarëve në protestën e PD, por edhe në sfondin e hetimeve të thelluara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që prej muajsh po verifikon dyshime serioze ndaj Ilir Prodës tashmë ish-kryepolic.
Emri i Prodës është përmendur në kuadër të hetimit për dekonspirimin e një operacioni të madh ndaj organizatës kriminale “Çopja”, ku nga 33 urdhër-arreste të lëshuara u ekzekutuan vetëm 13 masa sigurie. Në vitin 2024, SPAK sekuestroi celularin e tij për të analizuar komunikimet, ndërsa dyshimet përfshijnë shpërdorim detyre dhe nxjerrje informacioni sekret. Gjithashtu, në dosje përmenden dyshime për lidhje me Suel Çelën dhe grupin e Troplinëve në Durrës, elementë të njohur të botës së krimit të organizuar.
Një tjetër element që rëndon pozitat e tij janë raportimet për kontakte të afërta me Ergys Agasin, person në kërkim për çështje të lidhura me aferat e AKSHI-t. Sipas burimeve, takime të shpeshta mes tyre janë dokumentuar dhe po analizohen nga prokurorët e posaçëm. Nëse provat konsiderohen të mjaftueshme, nuk përjashtohet që ndaj Ilir Prodës të kërkohet masë sigurie “arrest me burg”, duke e vendosur atë në radhën e zyrtarëve të lartë që janë përballur me drejtësinë e re.