Nga Durrësi në Tiranë, një ambulancë me një fëmijë të vogël brenda lufton me kohën. Sirenat çjerrin ajrin, dritat pulsojnë me urgjencë, por rruga mbetet e bllokuar. Makina që nuk lëvizin, shoferë që hezitojnë, të tjerë që bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Dhe ndërkohë, çdo sekondë që humbet në trafik mund të jetë sekonda që ndan jetën nga vdekja.
Është e dhimbshme ta thuash, por duket se një pjesë e madhe e shoqërisë ende nuk e kupton peshën e atij momenti kur pas xhamave të një ambulance ndodhet një pacient në gjendje kritike. Nuk është thjesht një makinë me sirenë; është një garë me kohën. Në rastet e emergjencave, pë këdo që është brenda ambulancës, çdo minutë është vendimtare. Vonesa prej pak minutash mund të përkthehet në pasoja të pakthyeshme.
Problemi nuk është vetëm infrastruktura apo trafiku i rënduar mes Durrësit dhe Tiranës. Problemi është mentaliteti. Është mungesa e reagimit instinktiv për të hapur rrugën menjëherë, për të lënë mënjanë nervozizmin dhe egoizmin e momentit. Një shofer që nuk lëviz për disa sekonda mendon se “nuk ka ku të shkojë”, por harron se brenda asaj ambulance dikush mund të jetë duke humbur frymën.
Ne flasim shpesh për sistemin shëndetësor, për mungesat në spitale, për aparaturat apo mjekët. Por harrojmë se hallka e parë e shpëtimit është rruga e lirë. Pa të, as mjeku më i mirë dhe as spitali më modern nuk mund të bëjnë mrekulli.
Hapja e rrugës për ambulancën nuk është thjesht detyrim ligjor; është detyrim moral. Sepse nesër, mund të jetë një i afërm i jonë. Dhe atëherë do të kuptojmë se sa e rëndë është ndjesia kur sekondat ikin dhe askush nuk të hap rrugën.