Rreth 1 ton mjaltë është bllokuar këtë të diel nga Dega e Doganës Kapshticë, pasi nuk ishte i shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm që garanton sigurinë ushqimore të produktit.
Sipas njoftimit zyrtar, ngarkesa dyshohet se ka hyrë nga Greqia drejt Shqipërisë me synim importin dhe hedhjen në treg. Autoritetet doganore bëjnë me dije se malli është ndaluar për verifikime të mëtejshme, në mungesë të certifikatave përkatëse.
Emri i subjektit apo personit që posedonte sasinë e mjaltit nuk është bërë publik. Produkti është depozituar në magazinën doganore dhe do të qëndrojë aty deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave të parashikuara nga ligji.