Përmbytjet e fundit kanë treguar edhe një herë dobësinë e mbulimit të banesave në Shqipëri ndaj katastrofave natyrore. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2025 tregojnë se vlera e primeve të shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore ishte vetëm 2.43 miliardë lekë, ose rreth 25.1 milionë euro, që përkthehet në një prim vjetor prej vetëm 10 eurosh për person. Vlerësimet tregojnë se vetëm afërsisht 5% e banesave janë të sigurura, ndërsa mbi 90% e këtyre primeve janë të përqendruara në Qarkun e Tiranës.
Ligjërisht sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është vullnetar, por në praktikë shumica e kontratave lidhen me pronat e përdorura si kolateral për kreditë bankare, duke e bërë atë në efekt një produkt praktikisht të detyrueshëm. Për vitin 2025, siguruesit paguan vetëm 484 milionë lekë dëmshpërblime, duke treguar se shumica e kostove të katastrofave mbulohen nga individët ose nga buxheti i shtetit.
Autoritetet shqyrtojnë mundësinë e një skeme detyruese sigurimi për banesat nga tërmetet dhe përmbytjet, megjithatë kjo mund të shkaktojë dublim të sigurimeve dhe shpenzim të dyfishtë për qytetarët. Për pronat e kreditueshme, një policë vullnetare do të mbetet e nevojshme, pasi sigurimi i detyrueshëm nuk do të mbulojë të gjitha rreziqet dhe limitet e tij shpesh nuk mjaftojnë për të paguar plotësisht vlerën e kredisë.