Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen. Së fundmi, një dron ka goditur Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, duke shkaktuar dëme materiale dhe evakuime të menjëhershme.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare dhe pamjeve që po qarkullojnë në rrjet, pas goditjes janë parë dëme në infrastrukturën e aeroportit, ndërsa autoritetet kanë aktivizuar protokollet e emergjencës. Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar.
Pas incidentit, banorët dhe vizitorët në qytet janë udhëzuar të zhvendosen në hapësira nëntokësore dhe garazhe për arsye sigurie, ndërsa situata po monitorohet nga autoritetet vendase.
Sulmi në Dubai vjen vetëm disa orë pasi Irani goditi edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit me dron. Në atë rast, sipas autoriteteve kuvajtiane, disa punonjës pësuan lëndime të lehta dhe u raportuan dëme materiale. Autoritetet atje deklaruan se situata ishte vënë nën kontroll dhe se siguria e pasagjerëve mbetej prioritet.
Zhvillimet e fundit lidhen me përshkallëzimin e konfliktit të nisur sot mes Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit, që ka sjellë një valë sulmesh dhe kundërsulmesh në disa shtete të rajonit.
Situata mbetet dinamike dhe në zhvillim, ndërsa autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë dhënë ende një bilanc të plotë mbi dëmet.