Tre javë më parë publikuam apelin prekës për 23-vjeçaren Fatlume Shala, e cila kishte nevojë urgjente për transplant të mëlçisë për të shpëtuar jetën. Sot kemi lajmin që na mbush zemrën plot: transplanti është kryer me sukses dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë.
Nëna e saj, e cila u bë dhuruese e mëlçisë në një akt të jashtëzakonshëm sakrifice, dhe Fatlumja ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Lajmin e mirë për JOQ Albania e konfirmoi nga Turqia, Elmaz Misini.
“Po, pa asnjë komplikim. Tashmë nëna dhe e bija janë në dhomë normale. Nga kujdesi intensiv janë larguar, gjithçka është shumë mirë,” – u shpreh ai për redaksinë tonë.
Sipas tij, pas rreth 10 ditësh pritet që ato të lënë spitalin.
Ky është një lajm edhe më i madh kur kujtojmë se shuma e nevojshme prej 55 mijë eurosh dukej e paarritshme për familjen. Por shqiptarët u bashkuan dhe brenda vetëm 8 orësh u grumbulluan plot 60 mijë euro.
“Zemrat shqiptare kur bashkohen, krijojnë mrekulli çdo ditë. Elhamdulilah. Faleminderit nga zemra të gjithë që ndihmuat,” – ka shkruar Elmazi.
Ishte një rrugëtim i vështirë, me net pa gjumë, lutje dhe frikë. Por mbi të gjitha ishte besimi që nuk u shua asnjëherë.
Sot, Fatlumja është mirë.
Sot, një nënë dhe një bijë po rikuperohen pranë njëra-tjetrës.
Sot, shqiptarët dëshmuan edhe një herë se kur bëhen bashkë, shpëtojnë jetë.
Respekt dhe mirënjohje pa fund për secilin prej jush që u bëtë pjesë e kësaj mrekullie.