Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj objektivave në Iran, ndërsa Teherani ka reaguar me kundërsulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon.
Mes objektivave të goditura rezulton edhe aeroporti ndërkombëtar i Kuvajtit.
Sipas mediave shtetërore kuvajtiane dhe raportimeve të huaja, një dron i lëshuar nga Irani ka goditur Kuwait International Airport, duke shkaktuar plagosje të lehta të disa punonjësve dhe dëme materiale.
Autoritetet kanë aktivizuar menjëherë protokollet emergjente, kanë siguruar zonën dhe kanë nisur vlerësimin e situatës. Sipas deklaratave zyrtare, situata është “nën kontroll”, ndërsa siguria e pasagjerëve dhe stafit mbetet prioritet. Fluturimet po monitorohen nga afër.
Ndërkohë, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur pamje ekskluzive nga brenda aeroportit, të dërguara nga një çift shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në Kuvajt. Në video shihet qartë paniku dhe kaosi brenda terminalit, ndërsa zona përreth duket e mbuluar nga tymi. Punonjësit e sigurisë udhëzojnë pasagjerët të lëvizin drejt zonave më të sigurta.
Në mesazhin e tyre për redaksinë, ata shkruajnë:
“Përshëndetje, kemi një video nga sulmi në aeroportin e Kuvajtit. Jemi bllokuar këtu dhe nuk kemi asnjë informacion nga ambasada shqiptare. Jetojmë dhe punojmë në Kuvajt. Donim të largoheshim sepse u ndezën sirenat e luftës. Pati shpërthime. Para rreth 40 minutash u sulmua aeroporti kryesor. Shumë punëtorë patën lëndime. Ne jemi kthyer në shtëpi dhe fatmirësisht nuk kemi pësuar lëndime.”
Deri më tani, autoritetet kuvajtiane theksojnë se po vijon menaxhimi i situatës sipas standardeve më të larta të sigurisë, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe zhvillimet po ndjekin njëra-tjetrën me ritme të shpejta.
JOQ Albania do t’ju mbajë të informuar në vijim me çdo përditësim zyrtar mbi situatën dhe mbi gjendjen e shqiptarëve që ndodhen në zonat e prekura.