Donald Trump ka konfirmuar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një fushatë ushtarake kundër Iran.
Në mesazhin e tij, Trump deklaroi se operacioni është në shkallë të gjerë dhe do të vazhdojë, me qëllim parandalimin e asaj që ai e quajti një “diktaturë radikale” nga kërcënimi ndaj Amerikës dhe interesave të saj të sigurisë kombëtare.
“Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një operacion të madh dhe në vazhdim për të parandaluar që kjo diktaturë radikale dhe e ligë të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona themelore të sigurisë kombëtare.”
Ai theksoi se objektiv i operacionit është shkatërrimi i raketave iraniane dhe goditja e industrisë së tyre të prodhimit të raketave.
“Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do të rrënojmë industrinë e raketave deri në themel. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm”, tha presidenti në video.
Presidenti u shpreh se synimi kryesor është mbrojtja e popullit amerikan përmes eliminimit të kërcënimeve të menjëhershme që, sipas tij, vijnë nga regjimi iranian.
Sipas Trump, aktivitetet e Iranit përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara, trupat dhe bazat amerikane jashtë vendit, si dhe për aleatët në mbarë botën. Në videon rreth tetëminutëshe, ai akuzoi gjithashtu regjimin iranian për dekada të tëra armiqësie ndaj Amerikës dhe për përfshirje në akte dhune kundër objektivave amerikane dhe civilëve në vende të ndryshme.
“Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë shtetit dhe aleatët tanë në të gjithë botën. Për 47 vjet, regjimi iranian ka kënduar “Vdekje Amerikës” dhe ka zhvilluar një fushatë të pafundme gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke synuar Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëzit e pafajshëm në shumë vende”, përfundoi ai.