Në vitin 2024, rreth 44 mijë shqiptarë kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për statistikat e imigracionit në BE. Kjo shifër shënon një rënie krahasuar me vitet 2022-2023, kur numri i emigrantëve shqiptarë ishte rreth 50 mijë në vit, megjithatë ritmet e emigracionit mbeten të larta në krahasim me periudhën para pandemisë, me përjashtim të vitit 2015, që shënoi një rekord kërkesash për azil dhe fillimin e një cikli të ri emigracioni nga Shqipëria.
Që nga viti 2010, janë regjistruar rreth 460 mijë emigrantë shqiptarë në vendet e BE-së, duke reflektuar një valë të madhe emigracioni në raport me popullsinë e Shqipërisë, e cila ka rënë nga 2.8 milionë banorë në vitin 2011 në rreth 2.36 milionë aktualisht. Vetëm në periudhën 2021-2024, pas pandemisë, rreth 180 mijë shqiptarë kanë lënë vendin, pa përfshirë emigracionin drejt Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku kjo e fundit pati një valë të konsiderueshme ikjesh në vitin 2022.
Sipas Eurostat, destinacioni kryesor për emigrantët shqiptarë në 2024-n ishte Italia, me rreth 28 mijë persona, e ndjekur nga Gjermania me rreth 12 mijë emigrantë, ku të fundit janë kryesisht profesionistë si mjekë, infermierë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Në nivel europian, në 2024-n mbërritën në BE rreth 4.2 milionë emigrantë nga jashtë unionit, ndërsa 1.5 milionë u zhvendosën brenda BE-së, duke treguar një dinamikë të fortë të lëvizjes së popullsisë në rajon.