Banorët e qarkut të Elbasanit do të duhet të bëjnë llogaritë me qirinjtë në ditët e para të marsit. Pas problemeve të vazhdueshme me infrastrukturën rrugore që kanë izoluar zona të tëra, tashmë vjen radha e energjisë elektrike. Autoriteteve energjetike kanë njoftuar se Elbasani, Librazhdi dhe Gramshi do të përballen me ndërprerje të programuara të dritave për shkak të punimeve në rrjetin e transmetimit.
Ndërhyrja kryesore lidhet me masat e sigurisë në Linjën 400 kV Fier – Elbasan – Qafë Thanë, çka do të detyrojë inxhinierët të kryejnë manovrime teknike në disa linja tensioni 35 kV dhe 10 kV. Edhe pse premtohet se stakimet do të jenë kryesisht të shkurtra, harta e zonave të prekura është e gjerë.
Në Librazhd dritat do të mungojnë gjatë fashës orare 08:00–17:00 në datat 2 deri më 4 mars 2026. Gjatë kësaj kohe do të stakohet dhe tokëzohet Linja 10kV e Fiderit F7, duke lënë pa energji zonat e Shirgjanit, Repartit Mjekës, fshatrat Mjekës dhe Kryezjarr.
Autoritetet sqarojnë se këto ndërhyrje janë të domosdoshme për të garantuar që rrjeti i transmetimit të mos pësojë avari më të rënda në të ardhmen. Megjithatë, këshillohet që qytetarët dhe bizneset të marrin masa për mbrojtjen e pajisjeve elektrike, duke i hequr ato nga priza gjatë intervaleve të njoftuara, për të shmangur çdo dëmtim nga luhatjet e tensionit në momentin e rikthimit të energjisë.
Për një popullsi që shpesh ndihet e lënë pas dore nga investimet në rrugë, këto "shkëputje" të energjisë janë një tjetër provë durimi në prag të pranverës.