Mediat britanike kanë zbardhur disa nga komunikimet mes modeles shqiptare Misse Beqiri Maloku me Jeffrey Epstein.
Modelja shqiptare ishte 25 vjeçe kur u takua për herë të parë me financierin amerikan Jeffrey Epstein, duke u bërë një nga emrat shqiptarë të përmendur në dokumentet e publikuara nga United States Department of Justice.
Në total, 204 shkresa të bëra publike përmbajnë emrin e saj të plotë, duke hedhur dritë mbi komunikime që sipas dokumenteve shkonin përtej një kontakti formal.
Korrespondenca mes tyre nisi më 8 shtator 2011, me një email të Beqirit drejtuar Epstein, ku ajo prezantohej si shoqe e Tancredit dhe e informonte për qëndrimin e saj në Nju Jork, duke shprehur dëshirën për t’u takuar.
“Përshëndetje Jeffrey, jam Misse, një shoqe e Tancredit. Ai më tha të të shkruaj për qëndrimin tim në Nju Jork… mezi pres të takohemi. Me respekt, Misse.”
Pas këtij komunikimi, asistentja e Epstein, Lesley Groff, kërkoi fotografi dhe të dhëna të tjera për modelen. Më pas, Epstein e ftoi të qëndronte në një prej apartamenteve të tij në Manhattan gjatë vizitës së saj.
Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 17 shtator 2011. Sipas dokumenteve, komunikimet vijuan në javët në vazhdim me tone miqësore dhe personale, duke përfshirë diskutime për udhëtime në Milano, Paris dhe Karaibe, si edhe kontakte në industrinë e modës.
Në një mesazh të 26 shtatorit 2011, Beqiri i shkruante Epstein-it se kishte humbur telefonin dhe ndodhej në Suedi për punë, duke e pyetur si ishte.
“Zemër, e humba telefonin… lol. Jam në Suedi për punë këtë javë. Si je? Po mendoja për ty dje… Xxx.”
Në një tjetër komunikim, Epstein përmendte se ndodhej në Paris dhe jepte detaje nga jeta e tij personale.
“Jam në Paris, ku je? Sapo mbërrita sot në shtëpi për Krishtlindje, jam ende beqare.”
Sipas materialeve të publikuara, komunikimi i fundit i dokumentuar mes tyre mban datën 22 mars 2012.
Aktualisht, Misse Beqiri është 39 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe ish-bashkëshortja e portierit danez të Manchester United, Anders Lindegaard.