Policia ka arrestuar një 17-vjeçar për përplasjen e përgjakshme që ndodhi në Loutraki, ku si pasojë humbi jetën nga plagë të shumta me thikë një 17-vjeçar shqiptar dhe mbeti i plagosur miku i tij 19-vjeçar.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes (27.2.2026).
Zhvillimi vjen pasi më herët autoritetet kishin shoqëruar të paktën tre persona në kuadër të hetimeve për vdekjen e të riut, i cili ishte transportuar gjatë natës në Spitalin e Korinthit me plagë nga mjeti prerës.
Mes personave të shoqëruar për t’u marrë në pyetje ishte edhe nëna e të miturit, të cilin 19-vjeçari i plagosur e kishte identifikuar si autor të krimit. Sipas të njëjtave burime, ajo u ka thënë policëve se djali i saj, edhe nëse është përfshirë në ngjarje, nuk kishte qëllim vrasjeje.
Shoqërimet e tjera lidhen me persona nga rrethi shoqëror i të dyshuarit. Sipas informacioneve, grupi i viktimës ishte takuar me grupin e autorit për të “sqaruar” një vjedhje që kishte ndodhur më herët, megjithëse ende nuk është qartësuar përfshirja e secilit në atë rast.
Në total, bëhet fjalë për pesë persona.
Sipas dëshmisë së 19-vjeçarit, si ai ashtu edhe shoku i tij i ndjerë janë sulmuar nga i njëjti person, 17-vjeçari i arrestuar, ndërsa nëna e këtij të fundit ndodhej në komisariat duke dhënë deklaratë.
I plagosuri 19-vjeçar, i cili fillimisht u dërgua në spitalin e Korinthit me plagë në zonën e barkut, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin “Sotiria” dhe aktualisht po trajtohet në klinikën kirurgjikale. Ai u ka thënë mjekëve se 17-vjeçari që humbi jetën ishte mik i ngushtë i tij.