Banorët e Rrjollit përfundojnë në spital, dhunohen nga Policia e Shtetit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.02.2026, 13:31

Tensioni në Rrjoll ka shpërthyer sot në dhunë të hapur, teksa banorët që protestojnë kundër punimeve të lidhura me biznesmenin Bashkim Ulaj janë përplasur me forcat e Policisë së Shtetit. Sipas dëshmive nga terreni, disa qytetarë janë goditur duke rënë nga një lartësi e konsiderueshme, si pasojë kanë përfunduar në spital, ndërsa të tjerë janë shoqëruar me forcë.

Banorët pretendojnë se policia ka ndërhyrë jo për të garantuar rendin, por për të garantuar vijimin e punimeve, duke u vendosur hapur në krah të interesave private. Pamjet e përplasjes dhe raportimet për përdorim force ndaj protestuesve, mes tyre edhe gra, e rëndojnë edhe më shumë situatën. Në vend që të ndërmjetësojë dhe të ulë tensionin, policia akuzohet se ka zgjedhur rrugën e shkopit.

Kur qytetarët që kërkojnë të mbrojnë pronën e tyre përfundojnë në spital, ndërsa investitori vazhdon punën nën mbrojtje uniforme, lind një pyetje e thjeshtë: kë po mbron realisht shteti? Roli i policisë është të zbatojë ligjin me paanshmëri, jo të shndërrohet në gardë sigurie të interesave ekonomike.

Ngjarjet e sotme në Rrjoll janë një sinjal alarmi për mënyrën si po menaxhohen konfliktet sociale. Dhuna ndaj qytetarëve nuk mund të jetë zgjidhje. Nëse policia perceptohet si palë dhe jo si garante e rendit, atëherë besimi publik rrënohet – dhe bashkë me të, vetë autoriteti i shtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit