Jeffrey Epstein tentoi të blinte një pallat luksoz në Marrakech vetëm një ditë para arrestimit të tij në vitin 2019, sipas dokumenteve të publikuara nga U.S. Department of Justice dhe të raportuara nga BBC. Ai kishte ndjekur prej vitit 2011 blerjen e pronës “Bin Ennakhil” në zonën elitare Palmeraie, por negociatat me pronarin gjerman ishin zvarritur për vite për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimin.
Më 5 korrik 2019, Epstein firmosi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh si pjesë e marrëveshjes për të blerë kompaninë offshore që zotëronte pronën, në një transaksion me vlerë rreth 18 milionë euro. Ky rezultoi të ishte veprimi i tij i fundit i madh financiar para arrestimit në New York për akuza të trafikimit seksual. Tre ditë më vonë, transferta u anulua nga llogaritari i tij dhe blerja nuk u finalizua.
Dokumentet tregojnë se Epstein kishte lidhje të hershme me Marokun dhe e vizitonte shpesh vendin, duke qëndruar në Palmeraie. Spekulimet në media sugjeruan se ai mund ta shihte Marokun si një strehë të mundshme, pasi vendi nuk ka traktat ekstradimi me SHBA-të, por një ish-bashkëpunëtor i tij pretendoi se Epstein nuk priste arrestimin e afërt.