Shembja në aksin kombëtar Librazhd–Përrenjas, pranë fshatit Dragostunjë, pritet të kërkojë disa muaj punë për t’u zgjidhur, nëse respektohen procedurat dhe standardet në fuqi.
Kështu ka deklaruar një inxhinier i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili thotë se dëmtimi është më seriozi i kohëve të fundit dhe kërkon një zgjidhje të re inxhinierike për stabilizimin dhe riparimin e plotë të segmentit.
Sipas tij ekzistojnë dy alternativa kryesore: Ndërtimi i një viadukti të ri, që nënkupton ndryshim të plotë projekti dhe afate të gjata realizimi ose gërryerja deri në themele e masës së dheut të shembur dhe ndërtimi i një traseje të re mbi bazë të stabilizuar.
Kompania kontraktuese ANK po shqyrton aktualisht variantin e dytë, por edhe kjo zgjidhje përfshin volume të mëdha punimesh dhe kërkon kohë. Mund të hapet një kalim emergjent për qarkullim të kufizuar, por ai nuk do të ishte i sigurt për mjete të rënda.
Sipas vlerësimeve paraprake teknike, rrëshqitja është e induktuar dhe lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjet e fundit në zonë, përfshirë punimet për segmentet e autostradës së Korridori VIII.
Ndërhyrjet në terren, sipas ekspertit, kanë rënduar masivin shkëmbor dhe kanë rritur presionin mbi strukturën ekzistuese të rrugës. Gërryerja e bazave dhe përdorimi i materialit lumor kanë dobësuar stabilitetin e shpatit, duke kontribuar në de-stabilizimin e tij.
Ura e dëmtuar, e ndërtuar në vitin 1997, kishte qenë në gjendje shumë të mirë përpara nisjes së punimeve të reja, çka përforcon dyshimet se dëmtimi aktual lidhet me ndërhyrjet e fundit.
Inxhinieri thekson se nuk është dëmtuar vetëm sipërfaqja e rrugës, por i gjithë masivi mbi të cilin ajo mbështetet. Për këtë arsye kërkohet: studim i ri gjeologjik dhe gjeoteknik; analizë e lëvizjes së masivit dhe nivelit të ujërave nëntokësore; projektim i mureve mbajtëse të thelluara, pilotave dhe sistemeve të reja të drenazhimit dhe mundësi devijimi të pjesshëm të trasesë.
Kompleksiteti i terrenit malor në aksin Elbasan–Librazhd e vështirëson ndërhyrjen, pasi zona karakterizohet nga formacione të paqëndrueshme gjeologjike dhe çdo veprim i pakujdesshëm mund të shkaktojë lëvizje të tjera zinxhir.
Në skenarin më optimist, riparimi i plotë mund të zgjasë nga 6 muaj deri në një vit. Projekte të tilla kërkojnë rishikim fondesh dhe procedura të reja tenderimi ose emergjente, të cilat zakonisht marrin kohë.
Segmenti 25-kilometërsh Librazhd–Qukës u përfundua në vitin 2001 nga kompania Mavrovo dhe u mbikëqyr nga kompania italiane Lotus. Edhe pse nuk ka pasur mirëmbajtje rutinë sipas standardeve, rruga dhe ura kishin qenë në gjendje shumë të mirë përpara nisjes së punimeve për aksin e ri të Korridorit VIII.
Eksperti paralajmëron se nëse ndërhyrja nuk realizohet në mënyrë të plotë dhe strukturore, rreziku i përsëritjes së dëmtimeve mbetet i lartë.