Dëmtimi i rëndë i regjistruar në aksin kombëtar Librazhd–Përrenjas, pranë fshatit Dragostunjë, pritet të kërkojë muaj të tërë ndërhyrje për t’u zgjidhur përfundimisht. Një inxhinier i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili foli për “Monitor” në kushte anonimiteti për shkak të detyrës, thekson se nëse respektohen procedurat teknike dhe standardet në fuqi, riparimi nuk mund të realizohet në afat të shkurtër.
Sipas tij, dëmtimi i fundit konsiderohet ndër më seriozët e kohëve të fundit në infrastrukturën rrugore. Stabilizimi i zonës nuk mund të bëhet me ndërhyrje sipërfaqësore, pasi është prekur i gjithë masivi ku mbështetet trasa.
Inxhinieri shpjegon se në tavolinë janë dy alternativa kryesore: ndërtimi i një viadukti të ri, që do të kërkonte rishikim të plotë projekti dhe kohë të gjatë zbatimi, ose heqja deri në themel e masës së dheut të rrëshqitur dhe rindërtimi i segmentit mbi një bazë të re. Kompania ANK, e kontraktuar për punimet, po shqyrton variantin e dytë, që parashikon gërryerjen e plotë të zonës së dëmtuar dhe krijimin e një traseje të re.
Megjithatë, volumi i materialit të shembur është i konsiderueshëm dhe çdo skenar kërkon kohë të gjatë zbatimi. Mundësia e hapjes së një kalimi emergjent ekziston, por sipas specialistit, ai nuk do të ishte i përshtatshëm për mjete të tonazhit të rëndë.
Nga vlerësimet paraprake teknike rezulton se rrëshqitja është e induktuar dhe lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjet e mëvonshme në zonë, përfshirë punimet për segmentet e autostradës së Korridori VIII. Sipas ekspertit, punimet kanë rritur ngarkesën mbi masivin shkëmbor dhe kanë ushtruar presion shtesë mbi strukturën ekzistuese të rrugës.
Ndërhyrjet në shpatet anësore, si dhe përdorimi i materialit lumor që ka sjellë gërryerje të bazave mbajtëse, konsiderohen faktorë që kanë kontribuar në destabilizimin e terrenit. Ura e dëmtuar, e ndërtuar në vitin 1997, sipas burimeve teknike, ka qenë në gjendje shumë të mirë përpara nisjes së punimeve të reja, çka përforcon dyshimet se problematika aktuale lidhet me fazat e fundit të ndërhyrjeve në zonë.
Specialisti paralajmëron se rikthimi i sigurisë në këtë segment kërkon ndërhyrje të thelluara gjeoteknike. Fillimisht duhet një studim i ri gjeologjik dhe gjeoteknik për të analizuar lëvizjen e masivit, nivelin e ujërave nëntokësore, presionet anësore dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të shpatit. Kjo fazë përfshin matje, monitorim dhe projektim, procese që kërkojnë kohë.
Zgjidhja teknike mund të përfshijë ndërtimin e mureve të thelluara mbajtëse, vendosjen e pilotave, sistem të ri drenazhimi apo edhe devijim të pjesshëm të trasesë. Për shkak të kompleksitetit të terrenit malor në aksin Elbasan–Librazhd, çdo ndërhyrje duhet të kryhet me kujdes maksimal për të shmangur efekte zinxhir të rrëshqitjeve të tjera.
Përveç aspektit teknik, projekte të kësaj natyre kërkojnë rishikim fondesh dhe procedura të reja tenderimi ose mekanizma emergjentë, të cilat zakonisht zgjasin. Nëse ndërhyrja nuk realizohet në mënyrë të plotë dhe strukturore, rreziku i përsëritjes mbetet i lartë.
Në skenarin më optimist, riparimi i plotë i segmentit mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në një vit. Segmenti Librazhd–Qukës, 25 kilometra i gjatë, u përfundua në vitin 2001 nga kompania Mavrovo dhe u mbikëqyr nga kompania italiane Lotus, duke respektuar standarde të larta ndërtimi. Edhe pse ndër vite ka munguar mirëmbajtja rutinë sipas standardeve, infrastruktura kishte ruajtur gjendje të mirë deri para nisjes së punimeve të reja në kuadër të Korridorit VIII.