Dorëhiqet presidenti i Forumit Ekonomik Botëror pas rishikimit për lidhjet me Jeffrey Epstein

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.02.2026, 18:20

Presidenti dhe CEO i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum), Børge Brende, ka dhënë dorëheqjen pas një rishikimi të pavarur mbi lidhjet e tij me financierin e diskredituar Jeffrey Epstein.

Rishikimi u urdhërua pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi dokumente të reja në kuadër të hetimeve ndaj Epstein. Brende ka pranuar se ka darkuar tre herë me Epstein gjatë viteve 2018–2019 dhe ka komunikuar me të përmes email-it dhe mesazheve, por ka deklaruar se ishte “plotësisht i pavetëdijshëm” për të kaluarën e tij kriminale.

Forumi bëri me dije se hetimi i brendshëm nuk gjeti “asnjë shqetësim shtesë përtej atyre që janë bërë tashmë publike”. Po ashtu u theksua se përmendja e një emri në dosjet e publikuara nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi penale dhe Brende nuk është akuzuar për shkelje ligjore.

Në një deklaratë, Brende tha se kishte vendosur të largohej pas më shumë se tetë vitesh në krye të organizatës, duke theksuar se “ky është momenti i duhur që Forumi të vijojë punën e tij pa shpërqendrime”. Ai ka shprehur gjithashtu keqardhje që nuk kishte hetuar më thellë mbi të kaluarën e Epstein.

World Economic Forum organizon çdo vit takimin e njohur në Davos të Zvicrës, ku mblidhen liderë politikë dhe biznesi nga e gjithë bota.

Ndërkohë, bashkëkryetarët Andre Hoffmann dhe Larry Fink falënderuan Brende për kontributin e tij, ndërsa u njoftua se Alois Zwinggi do të shërbejë si president dhe CEO i përkohshëm deri në përzgjedhjen e pasardhësit të përhershëm.

Çështja Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes dhjetëra figura publike në mbarë botën. Dokumentet e publikuara përmbajnë miliona email-e, imazhe dhe raporte hetimore lidhur me Epstein, i cili vdiq në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza të rënda që lidhen me trafikim seksual.

Në Norvegji, disa figura publike janë përfshirë në polemika për shkak të kontakteve të tyre me Epstein, përfshirë Princeshën e Kurorës Mette-Marit dhe ish-kryeministrin Thorbjørn Jagland.

I lindur më 25 shtator 1965, Børge Brende është një figurë e njohur e jetës publike norvegjeze dhe anëtar i Partisë Konservatore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit