Qeveria e Spanjë po përgatit një ligj që do të ndalojë shitjen e pijeve energjike për të miturit dhe do të vendosë rregulla më të rrepta për reklamimin e ushqimeve të pashëndetshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe adoleshentëve. Ndalimi do të prekë produktet me përmbajtje të lartë kafeine, mbi 32 mg për 100 ml, dhe fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen t’i blejnë.
Ministri i të Drejtave Sociale, Pablo Bustinduy, theksoi se rregullorja është pjesë e një pakete më të gjerë masash për shëndetin e fëmijëve dhe se procesi i hartimit të ligjit është ende në zhvillim. Ai shtoi se disa rajone kanë tashmë rregulla të ngjashme dhe se legjislacioni duhet të kalojë edhe në afatet e Këshillit të Ministrave për të hyrë në fuqi.
Kufizimi i pijeve energjike vjen pas një serie iniciativash të tjera. Javën e kaluar, Komisioni i Konsumatorit përfshiu pijet energjike në listën e ushqimeve që nuk mund të reklamohen për të miturit. Në vitin 2024, një dekret mbretëror ndaloi shitjen e tyre në shkolla dhe kolegje, ndërsa së fundmi është raportuar se Spanja po shqyrton edhe ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.